Ujërat Nëntokësor


Ujërat nëntokësore dhe rezervat e tyre në Kosovë nuk janë të hulumtuar sa duhet. Ujërat nëntokësor në Kosovë gjenden në shkëmbinj të formacioneve të ndryshme, që nga Paleozoiku e deri në Kuaterneri dhe janë të rëndësishme për furnizimin me ujë të pijshëm për nevoja të popullatës, për industri, bujqësi etj. Aktualisht shfrytëzimi i ujërave nëntokësor në Kosovë bëhet kryesisht përmes puseve dhe burimeve.

Ujërat nëntokësor kanë rëndësi të madhe për jetën dhe zhvillimin ekonomik të një vendi. Kushtet e ndërlikuar gjeotektonike dhe gjeologjike kanë ndikuar që mënyra e krijimit, shtrirja, lëvizja dhe pasuritë e ujërave nëntokësor, të jenë të ndryshme në territorin e Kosovës. Në përgjithësi, për shkak të shtrirjes mjaft të madhe të shkëmbinjve jo ujëlëshues. Territori i Kosovës, ka një ndërtim gjeologjik të ndërlikuar dhe karakterizohet me terrene në të cilat paraqiten akuiferet me porozitet granular dhe intergranular (aluvionet dhe sedimentet e neogjenit dhe pliocenit), akuiferet me porozitet të plasaritjeve-çarjeve, akuiferet karstik (gëlqerorët, mermerët) si dhe me terrene izolatorë, flishi dhe rreshpe.

Sipas velrësimeve, rezervat e ujërave nëntokësorë në Kosovë janë të kufizuara. Ato gjenden kryesisht në pjesën perëndimore të vendit. Gjatë periudhës 2005-2007 në kuadër të projektit “Zhvillimi i resurseve ujore në Kosovën Juglindore” janë bërë hulumtime gjeofizike për ujërat nëntokësor në territorin e komunës së Gjilanit dhe komunës së Ferizajt (Pellgu i Moravës së Binçes). Ndërsa gjatë periudhës 2008-2010 me mbështetjen e Komisionit Evropian, përmes projektit për Pellgun e Drinit të Bardhë, në kuadër të aktiviteteve të projektit është bërë edhe planifikimi i pikave të hulumtimit për ujërat nëntokësore në këtë pellg. Të dhënat historike flasin se kjo është zona më e pasur me ujëra nëntokësor në Kosovë. Sipas Master Planit për Ujëra e Kosovës 1983-2000, potencialet më të mëdha të ujërave nëntokësor gjinden në rrafshin e Dukagjinit.

Burimet e rëndësishme të ujërave termale shfrytëzohen kryesisht për qëllime shërimi dhe rekreacioni. Deri më tani ka pasur shumë pak hulumtime për identifikimin dhe studimin e vlerave të këtyre burimeve si dhe sasinë e këtyre ujërave. Sipas të dhënave në Republikën e Kosovës janë të identifikuara rreth 30 burime të ujërave termale dhe minerale. Hulumtime më të detajuara janë kryer vetëm për Banjën e Pejës, të Kllokotit dhe të Banjskës, të cilat funksionojnë si banja termale shëruese. Përveç aspektit shërues këto ujëra termale mund të përdoren edhe për prodhimin e energjisë termike. Në përgjithësi temperatura e ujërave termominerale të Republikës së Kosovës sillet prej 17 oC - 540 oC, ndërsa shkalla e mineralizimit prej 2-5 g/l. Burimet e ujërave termale dhe minerale në Republikën e Kosovës kanë përmbajtje të sulfateve, hidrokarbureve, kalciumit dhe magnezit.

Ju mund të gjeni të dhëna të detajuara tabelare dhe përshkruese rreth ujërave nëntokësor në përmbledhjen e publikuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore (ARPL).


Përdor Gjeoportalin Ujor

Shiko të dhënat gjeohapsinore (GIS)

 Harta